Ndotja e ajrit merr jetë

Ndotja e ajrit në Kinë, që çoi në vdekjen e parakohshme të 1.2 milionë njerëzve në vitin 2010, duket se është rritur më shumë në vitin 2013. Studimet lidhin ndotjen e ajrit me vdekjet e ndodhura në fillim të këtij muaji në Kinë.

“New York Times” raporton se numri i personave që kanë humbur jetën si pasojë e ndotjes së ajrit në Kinë, përbën 40 për qind të shifrës globale.

Një tjetër mënyrë për të shprehur dëmin e shkaktuar nga ndotja e ajrit është se nëse të gjithë personat, që humbën jetën për këtë shkak do të jetonin në kushte natyrale, shuma e përgjithshme e jetës së tyre të marrë së bashku do të ishte 25 milionë vjet.

Ekspertët mjekësorë kinezë dhe ndërkombëtarë paralajmërojnë se smogu dhe ndotja e ajrit janë mes shkaktarëve më të mëdhenj të problemeve me shëndetin në Kinë.

Shkencëtarët listonin dietat e pashëndetshme, presionin e pakontrolluar të gjakut, tymin e cigares në ambientet publike dhe ajrin e ndotur në mjedisin e shtëpisë, si pesë rreziqet që i kanosen popullatës kineze, sipas deklaratës që u mbajt në simpoziumin “Kina dhe Sëmundjet Globale”.

Argumentet e dhëna u mbështetën në gjetjet e reja të një studimi të përbashkët të kryer nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Kinë, Kolegji Mjekësor i Pekinit, Instituti i Shëndetit në Metriks, Universiteti i Uashingtonit dhe Universiteti i Australisë.

Studimi analizoi sëmundjet, paaftësinë dhe të dhënat demografike të lidhura me tendencat shëndetësore në Kinë gjatë dy dekadave nga viti 1990 deri në vitin 2010.

Ndotja e ajrit është e dëmshme, pasi mund të shkaktojë sëmundje infektive, çrregullime kardiovaskulare dhe kancer. Deklarata e bërë nga studimi këtë të hënë shprehet se përhapja e këtyre sëmundjeve në Kinë po rritet gjithnjë e më shumë.

Për më tepër, krahasuar me shumicën e shteteve të G20, këto rreziqe shfaqen më serioze në Kinë.

Ekspertët gjithashtu nënvijëzuan përpjekjet që po bëhen për t’u përballur me sëmundjet kronike, që në vetvete janë shumë të rënda.

Pavarësisht se përfundimet e studimit nuk janë akoma të konfirmuara, të dhënat fillestare këshillojnë se ndonëse Kina po arrin suksese të mëdha në përmirësimin e jetës, reduktimin e vdekjes dhe kurimin e sëmundjeve infektive, sëmundjet e patransmetueshme në Kinë janë rritur.

Numri i popullsisë që është prekur nga sëmundjet kronike dhe paaftësia, po rritet me shifra alarmante nga viti në vit.

Duhet theksuar se pavarësisht përhapjes së sëmundjeve infektive siç është SARS dhe gripi i shpendëve H7N9, të cilat tërheqin vëmendjen e publikut, problemet më të mëdha të Kinës në lidhje me sëmundjet, vijnë nga ato kronike dhe të patransmetueshme. Yang Gonghuan, një profesor në Universitetin e Kinës shprehet se rreziku po rritet me hapa gjigantë.

Lui Yuanli, një tjetër profesor, paralajmëron se në krahasim me sëmundjet infektive, Kina ka akoma një rrugë të gjatë për të bërë për parandalimin dhe kontrollimin e shkaqeve që çojnë drejt sëmundjeve joinfektive dhe kronike.

Për më tepër, Rikard Horton, redaktor i revistës mjekësore “Lancet”, e këshilloi Kinën të mbrojë dhe menaxhojë më mirë rreziqet që i kanosen shëndetit të popullsisë kineze.

“Kina duhet të formulojë një program më të mirë që ka si bazë të tij evidentimin e rrezikut”, shprehet ai.

Horton thekson gjithashtu marrjen e masave për të kultivuar sjellje të shëndetshme te shoqëria kineze, pasi stili i jetës së shoqërisë, ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë te shëndeti.

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të Kinës për të kontrolluar sfidat, po rritet gjithnjë e më shumë shqetësimi për mirëqenien fizike dhe shëndetin mendor të popullatës vendase.

Qeveria kineze ka bërë përparime të mëdha për sa i përket kontrollimit të sëmundjeve kronike, por fatkeqësisht rezultatet nuk janë maksimale.

“Një përpjekje më efektive duhet të përfshijë përmirësimin e shërbimit në klinikat mjekësore të lagjeve, specializimin e infermierëve, modernizimin e kujdesit shëndetësor dhe rritjen e ndërgjegjësimit të publikut”, shprehet Jang.

Ekspertët ndërkombëtarë vunë në dukje gjithashtu se masat që merren mbi sëmundjet kronike në Kinë nuk duhet të kufizohen vetëm në fushën e mjekësisë, por duhet të përhapen edhe në sektorë të tjerë si strehimi, mirëqenia sociale, punësimi, urbanistika, industria, mjedisi, arsimi dhe mediat.

Simpoziumi që zgjati dy ditë u organizua nga PUMC, IHME, Lancet dhe nga Bordi Shëndetësor SHBA-Kinë.

Shkencëtarët dhe ata që hartojnë politikat mjekësore diskutuan në lidhje me masat, që duhet të merren për përmirësimin e gjendjes shëndetësore në Kinë.

Publikuar më: 27.10.2013
 

ProCredit Bank

Të fundit

Ju rekomandojmë

IADK përkrah gratë kryefamiljare në Drenas

IADK në bashkëpunim me Komunën e Drenasit, respektivisht Drejtorinë e bujqësisë dhe zhvillimit ekonomik, kanë përkrahur ...

Përkrahen fermerët në kultivimin e Sherbelës

IADK ka zgjedhur dhe ka nënshkruar kontratën me 6 fermer dhe se projekti është duke vazhduar me u zbatuar. Në kuadër të ...

Mbështetësit

Partnerët