Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player

BE u shpall luftë qeseve plastike

Komisioni Evropian ka miratuar të hënën një propozim, i cili ka për synim t’ua imponojë shteteve anëtare të BE-së një zvogëlim drastik të përdorimit të qeseve të plastikës.

“Për çdo vit, në Evropë, më shumë se 8 miliardë qese plastike përfundojnë si mbeturina të egra, duke u shkaktuar dëme të mëdha sidomos ekosistemeve ujore”, vlerëson komisari evropian për Ambientin, Janez Potoçnik.

Brukseli ka në shënjestër sidomos qeset e vogla për bartjen e gjësendeve të blera, atyre që janë më të holla se 50 mikronë (0,05 milimetra), e që ende shpërndahen nga shumë dyqane dhe supermarkete, dhe të cilat përbëjnë më shumë se 90% të 100 miliardë qeseve plastike që për çdo vit vihen në treg në BE.

Qeset, të cilat qëndrojnë (nuk prishen) për shekuj të tërë në natyrë, janë shumë të dëmshme për ambientin. Ato përbëjnë një kërcënim vdekjeprurës për peshqit, zogjtë, por edhe për shumë gjallesa të tjera të ujit e tokës. Grumbullimi i tyre dhe përzierja me materiale të tjera rezulton me formimin e deponive të mëdha të bërllokut.

Prandaj, për të luftuar kundër kësaj hataje, Komisioni dëshiron të imponojë një detyrim për të zvogëluar përdorimin e qeseve, duke ua lënë megjithatë shteteve anëtare në dorë se cilën rrugë do ta zgjedhin për ta arritur këtë objektiv: të kufizojnë shitjen apo të vendosin taksa.

“Disa shtete anëtare tashmë kanë arritur rezultate të shkëlqyera në drejtim të zvogëlimit të përdorimit të qeseve plastike. Po qe se shembulli i tyre do të ndiqej edhe nga anëtarët e tjerë, ne mund të zvogëlojmë për së paku 80% përdorimin global aktual në Bashkimin Evropian”, thekson Janez Potoçnik. Po ashtu, impakti i një ndryshimi të tillë të zakonit në industrinë evropiane të plastikës do të ishte tejet i vogël sepse shumica e këtyre qeseve janë të prodhuara në Kinë, shton komisari slloven.

Përballë nxënësve të këqij qipriotë, portugezë apo polakë, të cilët mesatarisht përdorin 466 qese për person dhe në vit, Komisioni përmend Irlandën, Luksemburgun, e sidomos Danimarkën dhe Finlandën (me vetëm 4 qese për person dhe në vit) si shembujt që duhet ndjekur.

“Duke vendosur një taksë prej 50 centësh për qese, Irlanda ka arritur të zvogëlojë për 92 për qind përdorimin e qeseve të plastikës brenda një viti”, theksonte në muajin mars aktori britanik Jeremy Irons, i cili kishte ardhur në Bruksel për të mbështetur nismën e Komisionit.

Synimi i ekzekutivit evropian është të arrihet te përdorimi i mesatarisht 35 qeseve për banor dhe në vit në tërë BE-në. Pra, performanca mesatare e tetë vendeve më të mëdha, në mesin e tyre edhe Franca (rreth 80 qese). Hyrja në fuqi nga 1 janari 2014 e një takse prej 6 centësh për qese do ta ndihmojë Francën ta arrijë më shpejtë objektivin e Komisionit Evropian. /Zëri/

ProCredit Bank

Të fundit

Ju rekomandojmë

Shoqata e Mullisëve të Kosovës: Mielli i Kosovës është i cilësisë së lartë

Shoqata e Mullistëve të Kosovës ka reaguar në lidhje me cilësinë e miellit në Kosovë. Përmes një komunikate për media, ...

Birra dyfishon shanset e pjellorisë te meshkujt

E pasur me vitamina B, birra në doza të moderuara rrit pjellorinë të meshkujt, por këto shanse mund të zvogëlojë kafeja ...

Mbështetësit

Partnerët