Agro Kartela

Tregu në Kosovë problem për shafranin

Përveç kulturave më tradicionale, fermerët kosovarë kanë filluar dhe kultivimin e disa kulturave, që nuk janë kultivuar më parë në Kosovë. Në mesin e tyre, është edhe shafrani, që konsiderohet si erëza më e shtrenjtë në botë, pasi çmimi për një kilogramë arrin deri në 4000 euro. Në vendin tonë janë gjithsej 16 kultivues të kësaj kulture, që gjatë vitit të kaluar kanë mbjellë shafran në një sipërfaqe prej 6.4 hektarë, ndërsa prodhimtaria totale kishte arritur në pesë kilogramë. Edhe pse kultivimi i tij është mjaft i leverdishëm, fermerët përballen me mungesën e tregut për shitjen e tij në Kosovë.

Shaban Luma, nga Cermjani i Gjakovës është njëri nga 16 kultivuesit e shafranit në Kosovë, i cili ka filluar para tri viteve të merret me kultivimin e tij. Ai tregon se aktualisht ka të mbjellë 1.2 hektarë me shafran, por problem sipas Lumës, është mungesa e tregut për të. “Në tregun kosovarë është vështirë të gjesh vend për shitjen e shafranit, pasi që çmimi është shumë i lartë dhe nuk ka interesim për këtë kulturë. Kjo po del të jetë shumë problem për ne, sepse për kultivimin e saj duhet investim i madh”, tha Luma.

Kërkesa për shafran sipas tij, janë shumë të vogla, ndërsa jashtë Kosovës janë shumë më të mëdha. Për shitjen e këtyre prodhimeve, ai kërkon një bashkëpunim më të madh nga ana e hoteleve dhe restauranteve në vend. “Vetëm në këtë mënyrë ne mund të arrijmë të kemi sukses, sepse deri më tash shafranin kemi arritur ta shesim vetëm në tregjet jashtë Kosovës, pasi këtu nuk ka kërkesa të mëdha për të”, thotë Shaban Luma. Për ta punuar tokën, e po ashtu edhe kultivimin shafranit, fermeri Luma tregon se përveç anëtarëve të familjes kohë pas kohe angazhon dhe punëtorë sezonal.

Kultivimin e shafranit në vend e ka përkrahur USAID-i amerikan, përmes programit “Mundësi të Reja për Bujqësi”. Fatmir Selimi, nga ky program tregon për portalin “Ferma Ime”, se programi ka për qëllim promovimin e kulturave të reja bujqësore. Deri më tash, përmes këtij programi, Selimi thotë se i kanë përkrahur mbi 10 kultivues të shafranit, ku kostoja për mbjellje të një hektari shkon deri në 50 mijë euro. “Kthimi në këtë kulturë bujqësore është më i ngadalshëm, sepse në vitin e parë prodhohet më pak, por shafrani është bimë shumëvjeçare dhe shkon deri në pesë vjet. Investimet kanë qenë të mëdha dhe po shpresojmë që gradualisht të rriten sipërfaqet e mbjella me shafran në Kosovë”, thotë Selimi.

Ai tregon se përmes këtij programi, i kanë përkrahur kultivuesit e shafranit me bulba, e po ashtu edhe me këshilla teknike. “Në bazë të analizave që kemi bërë kohëve të fundit, kemi parë se shafrani që vjen prej vendeve të tjera është më i lirë se sa po pritet, ku çmimi për një kilogramë shkon nga 2000 deri në 4000 euro, varësisht prej cilësisë”, thotë Selimi. Sipas tij, edhe pse tregu kryesor i shafranit është jashtë Kosovës, pas promovimit që i kanë bërë vitin e kaluar, ka filluar interesimi për blerjen e tij edhe nga ana e ndërkombëtarëve që punojnë në Kosovë. “Kualiteti i shafranit të prodhuar në Kosovës është kualiteti më i lartë, dhe këtë e kanë treguar analizat që kemi bërë në tre laboratorë të ndryshëm”, thotë përfaqësuesi i NOA-s, Fatmir Selimi.

Ndryshe, shafrani është erëza më e shtrenjtë në gjithë botën, dhe kjo bimë e çmuar ka shumë veti shëruese për disa sëmundje përfshirë edhe në parandalimin e kancerit. Ajo ka përdorim të gjerë në kuzhinë, gjithashtu përdoret edhe në shumë fusha të tjera. Bën pjesë në grupin e bimëve shumëvjeçare, që shkon prej gjashtë deri në dhjetë vjet. Për dallim nga bimët e tjera, kjo lulëzon në vjeshtë.

Prodhuesi kryesor i Shafranit në botë është Irani me 90 -93% të prodhimit të përgjithshëm botëror që është rreth 300 ton në vit. Në vendin e dytë renditet Greqia me rreth 6 tonë e përcjellë nga India(Kashmiri) dhe Maroku me nga rreth 2.3 ton në vit. /FermaIme/

Publikuar më: 18.07.2013
 

ProCredit Bank

Të fundit

Ju rekomandojmë

Kumbullat e thara ngadalësojnë arterosklerozën

Një studim i fundit i kryer në kafshë ka zbuluar se konsumimi i kumbullave të thara ngadalëson zhvillimin e arterosklerozës...

Lëngu i boronicës mbron shikimin

Lëngu i boronicave është i pasur me vitamina A, C, polifenole etj. Këto të fundit kanë një veprim antioksidues kundër ...

Mbështetësit

Partnerët